Animacioni Social

Bëhu pjesë e lëvizjes “ME DHE PËR TË TJERËT”

Gjithmonë e më shumë njerëzit kanë nevojë për dashuri, për dikë që kujdeset dhe i tregon mirësi. E për këtë, më shumë se kushdo, kanë nevojë ata që janë më të prekurit e shoqërisë. Fëmijët e sëmurë, që për fatin e tyre të keq, i duhet të kalojnë një pjesë të mirë të kohës së tyre pranë ambjenteve të spitaleve, jo si të gjithë fëmijët e tjerë nëpër parqe duke luajtur me shokët e tyre…

Të moshuarit, të cilët kalojnë fazën më të vështirë të jetës së një individi. Në këtë moshë ku ata ndjejnë se nuk vlejnë më, se misioni i tyre është pranë fundit, shoqëria padyshim duhet ti shohë me një respekt të vecantë për gjithcka ata i kanë dhënë asaj, për t’u bërë cfarë ajo është në ditët e sotme.

Të burgosurit, vecanërisht femrat të cilat vuajnë dënimin e tyre dhe që janë të destinuara të jetojnë të mbyllura, por që duhet të ndihen si qënie shoqërorë të vlerësuara, pamvarësisht gabimeve apo rrethanave të jetës.

Pikërisht këtyre grupeve në nevojë, SHASH ia kushton misionin e saj, si një ndër profesionet që sjell jetë, energji dhe gjallëri këtyre individeve në institucionet përkatëse (spitale azile burgje etj.) Padyshim ky mision fisnik dhe kaq human nuk mund të bëhet i vetëm, por që merr trajtë dhe ka një ndikim të rëndësishëm falë bashkëpunimit të aktorëve të ndryshëm.

Miq të SHASH, ju ftojmë të gjithëve të merrni pjesë në lëvizjen “ME DHE PËR TË TJERËT”. Pamvarësisht se cili është profesioni juaj, ju mund të bëheni pjesë e veprimtarisë tonë vullnetare.

Kujdes! Miq, ne nuk po ju ftojmë të jeni pjesë e një fundjave për t’u argëtuar në mal apo buzë detit. Ftesa jonë është t’i dedikoni disa orë nga koha juaj, dikujt që ka nevojë për ju.